Muriç pas barazimit me Slloveninë: E ardhmja është e ndritur, ky rezultat na mban në garë

Aro Muriç
Aro Muriç

Portieri i Kosovës, Arijanet Muriç, ka dhënë një prononcim të shkurtër pas barazimit pa gola (0-0) ndaj Sllovenisë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Muric, i cili u dallua me pritje vendimtare gjatë takimit, vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe nënvizoi rëndësinë e këtij rezultati në rrugëtimin e mëtejmë të “Dardanëve”.

“Faleminderit për mbështetjen. Ishte hera e parë që luajtëm me këtë rreshtim dhe mendoj se paraqitja ishte shumë pozitive. E ardhmja e kësaj skuadre është e ndritur”, u shpreh Muric pas ndeshjes.

Ai theksoi se edhe pse kishin synuar fitoren, barazimi mban gjallë shpresat për kualifikim:
“Kemi besuar se mund të fitonim, por edhe ky barazim na mban në lojë. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe besim.”

Kosova do të rikthehet në fushë të hënën, kur do të përballet në udhëtim ndaj Suedisë, në një tjetër përballje kyçe për fatin e grupit.