Suedia shet të gjitha biletat për ndeshjen me Kosovën

Federata e Futbollit e Suedisë ka njoftuar se të gjitha biletat për dy ndeshjet e tetorit janë shitur.
Më 10 tetor, suedezët do të presin Zvicrën në Solna, ndërsa tri ditë më vonë, më 13 tetor, do të përballen me Kosovën në stadiumin “Ullevi” të Goteborgut, me kapacitet prej 43 mijë ulësesh, që pritet të jetë i mbushur plot.
Gjithashtu, biletat për sfidën e fundit kualifikuese ndaj Sllovenisë, që zhvillohet më 18 nëntor në Solna, tashmë janë hedhur në shitje.
Suedia ndodhet në pozitë të vështirë në Grupin e saj, pasi ka mbetur prapa në garën për Botërorin 2026.
Pas barazimit 2:2 me Slloveninë më 5 shtator në Lubjanë, kombëtarja suedeze u mposht 2:0 nga Kosova në Prishtinë më 8 shtator – një disfatë që u përjetua rëndë nga opinioni sportiv në vend.
Pas kësaj humbjeje, në emër të lojtarëve u publikua një letër drejtuar tifozëve, ku kërkohej përkrahja e mëtejme.
Megjithatë, përmbajtja e saj u kritikua ashpër, pasi u perceptua si një kërkimfalje. Sipas mediumit “fotbollskanalen.se”, letra nuk ishte përpiluar nga lojtarët apo stafi teknik, por nga departamenti i marketingut dhe marrëdhënieve me publikun të federatës.
Kjo solli diskutime të brendshme dhe pakënaqësi edhe në vetë Federatën suedeze.




