Një rënie e madhe për sulmuesin shqiptar, Mërgim Berisha drejt Bundesliga 2

Mergim Berisha

Sulmuesi i Hoffenheimit, Mërgim Berisha, është në qendër të interesimit të Hertha Berlin për një transferim të mundshëm, sipas raportimeve të “Kicker”.

Trajneri i skuadrës nga kryeqyteti gjerman, Stefan Leitl, ka biseduar personalisht me sulmuesin 27-vjeçar për një kalim potencial në Berlin.

Berisha ka ndërtuar karrierën e tij me Salzburgun në Austri, ndërsa më vonë ka luajtur edhe për LASK, Magdeburg, Altach, Fenerbahçe dhe Augsburg. Ai është një nga sulmuesit shqiptarë më të shtrenjtë të viteve të fundit dhe ka përfaqësuar Gjermaninë në dy ndeshje miqësore.

mergim berisha

Por vitet e fundit kanë qenë të vështira për të. Lëndimet e shpeshta e kanë larguar nga forma e dikurshme dhe sezonin e kaluar e përfundoi me vetëm një gol dhe një asistim në 19 ndeshje.

Nëse transferimi drejt Herthës konkretizohet, atëherë do të ishte një rënie e madhe në karrierën e tij – nga Bundesliga në kategorinë e dytë gjermane. Megjithëse mund të fitojë minuta të rregullta dhe hapësirë për rikthim, një lëvizje e tillë e largon nga elita dhe e vë në një rrugë ku rikthimi në nivelet më të larta do të jetë më i vështirë.

Për Berishën, ky mund të jetë një kapitull i ri që kërkon më shumë sakrificë sesa shkëlqim.