Pas muajsh punimesh të ngadalta dhe pengesash ligjore, Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë pritet të hyjë në fazën kryesore të ndërtimit.
Së shpejti, do të vendoset tapeti i ri në fushën e stadiumit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të njërit prej stadiumeve më modernë në vend, përcjellë “Kërlaçki”.
Përmes disa imazheve të publikuara së fundmi, vërehet progresi në strukturën e brendshme të stadiumit.
Megjithatë, pavarësisht këtij përparimi, punimet në stadiumin “Adem Jashari” paraprakisht kanë qenë shumë të ngadalta.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, deklaroi se projekti është përballur me sfida ligjore dhe pronësore, të cilat janë zbuluar me vonesë dhe kanë penguar vazhdimin normal të punimeve.
“Në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë hasëm në një pengesë ligjore, një çështje pronësore që na u paraqit me vonesë. Aktualisht po e trajtojmë këtë ngërç ligjor, të cilin duhet patjetër ta kapërcejmë për të vazhduar punën. Dinamika e punimeve nuk është aspak e kënaqshme, por jemi të përkushtuar që stadiumi të përfundojë sa më shpejt,” u shpreh ministri Çeku.
Dy herë në rikonstruksion, mbi 1.7 milionë euro të investuara
Ky është viti i dytë me radhë që stadiumi kryesor i Mitrovicës është në rinovim.
Sipas Ministrisë së Sportit, në fazën e parë janë investuar rreth 740 mijë euro, ndërsa në fazën e dytë 1 milion euro të tjera, në kuadër të modernizimit të objektit.
Për vitin 2025, është vendosur që në stadium të mos zhvillohen aktivitete sportive për t’i lënë hapësirë përfundimit të punimeve.
Në të njëjtën kohë, pritet që kjo hapësirë të shndërrohet në një pikë kyçe për zhvillimin e sportit në nivel lokal dhe kombëtar.