
Ish-trajneri i Kroacisë, Aleksandar Aco Petroviç, ka analizuar ecurinë e Serbisë në Kampionatin Evropian të Basketbollit.
Pas suksesit me përfaqësuesen e Brazilit në Kampionatin e Amerikës, Aleksandar Aco Petroviç ka komentuar për mediat kroate zhvillimet në Eurobasket, duke vënë theksin te skuadra e Serbisë.
Sipas tij, mungesa e Bogdan Bogdanoviçit është një pengesë e madhe për ekipin e trajnerit Svetislav Peshiç, por ai beson se Marko Guduriç mund të marrë rolin udhëheqës.
“Është e kuptueshme që lëndimi i Bogdanoviçit është një disavantazh i madh për Serbinë. Por Peshiç duhet t’i besojë Marko Guduriçit, i cili vjen pas një sezoni të shkëlqyer dhe është gati për këtë përgjegjësi. Serbia ka ende kapacitet për të përballuar mungesën e tij – dhe nuk e kam fjalën për Miciçin, por për Guduriçin”, tha Petroviç.
Ai shtoi se, ndonëse Serbia mbetet në mesin e pretendentëve, ajo nuk është më favoritja e padiskutueshme: “Turqia dhe Gjermania kanë lënë përshtypje të forta deri tani, por turneu është i mbushur me skuadra të rrezikshme. Kur isha në Portland, pashë nga afër se çfarë potenciali ka Deni Avdija i Izraelit – një lojtar shumë i gjithanshëm.”
Pas katër fitoreve radhazi, Serbia kryeson grupin dhe përballet me Turqinë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, që do të vendosë se kush do ta mbyllë i pari.
EuroBasket: Orari i ndeshjeve të sotme
14:00 Belgjika – Izraeli
14:00 Greqia – Bosnja dhe Hercegovina
17:00 Islanda – Sllovenia
17:15 Qipro – Gjeorgjia
20:30 Franca – Polonia
20:30 Italia – Spanja