Kombëtarja shqiptare ka pësuar një ndryshim të papritur në listën e lojtarëve për ndeshjet e shtatorit. Portieri Elhan Kastrati nuk do të jetë i gatshëm për shkak të një dëmtimi në gju, duke detyruar stafin teknik të bëjë ndryshime në portë.
Pas kontrolleve mjekësore dhe analizave të kryera në grumbullim, stafi mjekësor konkludoi se portieri ka nevojë për trajtim dhe nuk mund të luajë në dy sfidat e ardhshme, ndaj Gjibraltarit në miqësore dhe Letonisë në kualifikuese.
Në vend të tij, trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë portierin e Kombëtares U-21, Simon Simoni, i cili pritet t’i bashkohet menjëherë kampit stërvitor në Malaga dhe të vihet në dispozicion për dy ndeshjet e këtij muaji. Simoni vije nga skuadra gjermani, Kaiserslautern, por që ende nuk ka asnjë paraqitje në këtë edicion.
Ndërkohë, pjesës tjetër të ekipit i janë bashkuar edhe Enis Çokaj dhe Cristian Shpendi, të cilët kanë kryer seancën e tyre të parë stërvitore me grupin.
Sipas programit, të mërkurën në orën 17:00 do të zhvillohet konferenca zyrtare e trajnerit Silvinjo, ndërsa në orën 18:00 skuadra do të mbajë seancën zyrtare stërvitore.
Shqipëria do të zbresë në fushë më 4 shtator për miqësoren ndaj Gjibraltarit në transfertë, me fillim nga ora 18:00, ndërsa më 9 shtator do të përballet me Letoninë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, e cila nis në orën 20:45.