Tifozët e Barcelonës në basketboll shpërthyen në pakënaqësi pas humbjes së rëndë ndaj Real Madridit (92-101) në kuadër të Euroligës, duke shfaqur shamitë e bardha dhe duke kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të klubit, në veçanti Laportës.
Ndeshja, e cila shënoi pjesëmarrjen më të lartë të sezonit në “Palau Blaugrana” me 7.294 spektatorë, u mbyll me një atmosferë tensioni, ndonëse publiku kishte mbështetur skuadrën gjatë gjithë lojës. Në përfundim, pakënaqësia shpërtheu ndaj drejtuesve, me shumë protesta të drejtuara drejt tribunës VIP, ku ishte i pranishëm presidenti Joan Laporta.
Sipas pamjeve të kapura nga kamerat e Movistar, Laporta u duk i befasuar nga reagimi i tifozëve, madje u shpreh: “Çfarë po ndodh?”, duke bërë më pas një gjest simbolik dorëheqjeje.
Tifozët nuk kursyen as thirrjet drejtuar përgjegjësit të seksionit të basketbollit, Josep Cubells, duke kërkuar dorëheqjen e tij pas rezultateve të dobëta të fundit. Kjo humbje e thellon krizën, veçanërisht pas bilancit negativ prej 0 fitoreve në 9 “El Clásico” të fundit kundër Realit.
Barça do të kërkojë të rikthejë qetësinë dhe të rifitojë besimin e tifozëve në ndeshjen e radhës në kampionat, ku do të përballet me Bàsquet Girona të dielën në “Fontajau”.

