Protestuesit pro-Palestinë ndërpresin një nga garat më të mëdha të çiklizmit në botë Vuelta a España

Bilbao - protesta
Bilbao - protesta

Etapa e njëmbëdhjetë e garës së njohur të çiklizmit “Vuelta a España” është ndërprerë për arsye sigurie, vetëm tre kilometra para përfundimit, pas protestave pro-palestineze që shkaktuan trazira në finishin e garës në qytetin Bilbao.

Etapa prej 157.4 kilometrash, e cila nisi dhe duhej të përfundonte në Bilbao, u pezullua pasi protestuesit rrëzuan barriera mbrojtëse dhe pushtuan rrugën, duke pamundësuar vijimin e sigurt të garës. Protesta ishte drejtuar kundër skuadrës izraelite Israel-Premier Tech dhe pranisë së saj në këtë ngjarje sportive.

Për pasojë, gara u mbyll pa një fitues të etapes, ndërsa kohët u regjistruan dhe u “ngrinë” tre kilometra para finishit. Megjithatë, rezultatet do të përfshihen në renditjen e përgjithshme.

“Për shkak të disa incidenteve në finish, vendosëm të regjistrojmë kohën tre kilometra përpara fundit. Nuk do të ketë fitues etape. Do të shpërndajmë pikët për klasifikimin malor dhe sprintet e ndërmjetme, por jo në finish”, deklaroi drejtori i garës për Radio Vuelta.

Paralajmërime për sigurinë para etapes

Para nisjes së etapës, Shoqata e Çiklistëve Profesionistë (CPA) kishte kërkuar masa më të forta sigurie, pas një serie incidentesh të mëparshme të lidhura me protesta kundër ekipit izraelit.

“Ne, çiklistët, e dimë që organizatorët kanë bërë ç’kanë mundur javët e fundit. Por, nëse ka një situatë të rrezikshme, diçka duhet të ndërmerret”, tha çiklisti italian Elia Viviani.

Drejtori teknik i Vuelta-s, Kiko Garcia, u shpreh për Radio Marca:
“Ishte një ditë e vështirë për të gjithë. E kishim parashikuar mundësinë e protestave, por nuk e prisnim këtë rrëmujë në finish. U detyruam të reagojmë shpejt. Kishim dy mundësi: ta anulonim tërësisht ose t’u ofronim tifozëve maksimumin. Regjistrimi i kohës tre kilometra para finishit ishte zgjidhja më e mirë – pa fitues etape.”

Drejtori i garës, Javier Guillen, njoftoi se organizatorët do të dorëzojnë kallëzim në polici, duke i cilësuar demonstratat si “akte dhune”. Por, ministrja e Rinisë së Spanjës, Sira Rego, e quajti “krejtësisht të papranueshme” që ky protestë paqësore të përshkruhej si dhunë, kur bëhet fjalë për një skuadër të përkrahur nga një shtet i akuzuar për “dhunë sistematike” në Rripin e Gazës.

Ministrja Rego kërkoi që ekipi izraelit të përjashtohet nga gara dhe që protestat të lejohen të vazhdojnë.

Pavarësisht mungesës së konfirmimit zyrtar për kohët e regjistruara, fanella e kuqe e liderit pritet të mbetet në pronësi të danezit Jonas Vingegaard.

“Doja shumë ta fitoja etapën sot, pasi është ditëlindja e parë e djalit tim. Ekipi punoi gjithë ditën për këtë qëllim, por fatkeqësisht nuk patëm mundësinë ta finalizonim. Mendoj se policia bëri një punë të mirë. Në një moment tentuan të na ndalonin në një ngjitje, por arritëm të kalonim. Përndryshe, ndihesha i sigurt gjatë garës,” tha Vingegaard pas etapes.