 
Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, ka pësuar disfatë në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane, duke u mundur me rezultat 41:34 nga skuadra luksemburgase Dudelange, në takimin e zhvilluar të premten mbrëma në Luksemburg.
“Vreshtarët” e nisën mirë ndeshjen dhe për pak minuta loja ishte e baraspeshuar. Por me kalimin e kohës, vendasit morën kontrollin, duke mbyllur pjesën e parë me epërsi 18:16.
Në pjesën e dytë, Dudelange thelloi diferencën, veçanërisht pas minutës së 40-të, duke siguruar fitoren me 7 gola epërsi.
Rahoveci u paraqit pa lojtarin kryesor, Egzon Gjuka, i cili mungoi për shkak të lëndimit. Më i dalluari në këtë përballje ishte Arbios Mushkolaj, që realizoi 11 gola, ndërsa Mali Luzha shënoi 7 herë. Nga 4 gola kontribuan Vlerson Zherka dhe Rron Ramadani, ndërsa portieri Arbër Curri regjistroi 8 pritje.
Ndeshja e dytë ndaj Dudelange luhet të shtunën nga ora 20:30, po ashtu në Luksemburg. Rahoveci ka pranuar që të dyja përballjet të zhvillohen jashtë fushe, pasi palestra “Mizahir Isma” është në përdorim për zgjedhjet lokale.
 
 
		 
		 
		