Orges Shehi
Trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, është shprehur optimist para duelit të rëndësishëm ndaj kampionëve të Kosovës, Dritës. Ai theksoi se skuadra ndodhet në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike, ndërsa puna kryesore gjatë javës ka qenë rikuperimi i energjive dhe përgatitja taktike.
“Gjendja fizike e skuadrës është e mirë. Këto ditë jemi përqendruar kryesisht në rikuperimin e energjive dhe në planin taktik, më shumë se në aspektin teorik. Ana psikologjike e ekipit është gjithashtu pozitive. Do të menaxhojmë minutat e lojtarëve, pasi edhe në ndeshjen e fundit të gjithë luajtën 90 minuta. Do të mundohemi të fusim lojtarët më të përshtatshëm për këtë përballje”, tha Shehi.
Ai konfirmoi se grupit i janë bashkuar 100% edhe Kryeziu e Giovanni, çka e shton konkurrencën në skuadër.
Nga ana tjetër, trajneri kërkon që futbollistët të luajnë të qetë dhe me besim:
“E dimë që është një ndeshje e rëndësishme kundër rivalit tonë direkt. Dua që skuadra të shprehet mirë dhe të ndjekë ritmin që kemi treguar edhe në përballjet e kaluara.”
Ballkani do të përballet me Dritën në ndeshjen më të forta të javës në Albi Mall Superligë nesër nga ora 15:00.