Kalo te përmbajtja
Mittwoch, 5 August 2026
Kombëtaret

Shehu dhe Daku: Letonia, një ndeshje vendimtare – synojmë vetëm fitoren

Juljan Shehu dhe Mirlind Daku dolën sot në një konferencë për shtyp nga stadiumi “Air Albania”, në prag të sfidës kualifikuese ndaj Letonisë e cila zhvillohet të martën (20:45). Dy futbollistët kuqezi theksuan rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke e cilësuar fitoren si objektivin e vetëm dhe të domosdoshëm.

Shehu: Letonia, sfida më e rëndësishme – duhet patjetër të fitojmë

Mesfushori Juljan Shehu vlerësoi paraqitjen në miqësoren e fundit ndaj Gjibraltarit, duke theksuar se ajo shërbeu për testimin e lojtarëve të rinj dhe skemave të reja.

“Ishte një ndeshje pozitive. Lojtarët që morën minuta treguan vlerat e tyre dhe luajtën mirë. Kjo na ndihmon për ndeshjet zyrtare”, – u shpreh Shehu.

Në lidhje me përballjen ndaj Letonisë, Shehu nuk e fshehu rëndësinë e tri pikëve:

“Është ndeshja më e rëndësishme për momentin. Gjendja në skuadër është shumë e mirë, ka entuziazëm dhe objektivi i vetëm është fitorja.”

Përballë kritikave për ndeshjet e fundit, Shehu u shpreh se nuk është çështje përqendrimi apo forme:

“Nuk kemi bërë ndeshje të këqija, por na kanë munguar rezultatet. Duhet të jemi konkretë përballë portës dhe të marrim tri pikët që do ta bëjnë gjithçka më të lehtë.”

Sa i përket mungesës së golave në ekipin kombëtar krahasuar me klubin, Shehu sqaroi:

“Në klub luaj më përpara, ndërsa te kombëtarja si mesfushor difensiv. Detyrat taktike ndryshojnë dhe mundohem të jap më të mirën në çdo rol.”

Daku: Fitorja, e vetmja alternativë – kemi besim dhe forcë për ta arritur

Sulmuesi Mirlind Daku komentoi miqësoren ndaj Gjibraltarit si një test për lojtarët e rinj dhe për skemat taktike, por theksoi se fokusi kryesor tashmë është te Letonia:

“Në ndeshjen e parë ndaj tyre kishim shumë raste, por finalizimi na tradhtoi. Tani duhet të jemi më efikasë. Kemi mësuar nga gabimet dhe jemi gati për të fituar.”

Daku foli edhe për gjendjen e grupit:

“Është një ndeshje vendimtare dhe duhet të gjejmë forcën për të vazhduar rrjedhën e rezultateve pozitive. Këto ndeshje janë më të vështirat, pasi përballë kemi ekipe që nuk kanë asgjë për të humbur.”

Në retrospektivë të paraqitjeve në këto kualifikuese, Daku veçoi ndeshjen ndaj Serbisë si një nga më të mirat:

“Ndaj Serbisë ishim më të mirë dhe më të përgatitur. Përjashto përballjen ndaj Anglisë, kemi dominuar shumicën e ndeshjeve. Besoj te grupi dhe te puna që po bëjmë. Me përkushtim dhe sakrificë mund ta arrijmë ëndrrën – kualifikimin në Botëror.”

Në prag të një sfide kyçe për ecurinë në eliminatoret drejt Kupës së Botës 2026, mesazhi nga kampi kuqezi është i qartë: tri pikë janë detyrim dhe jo vetëm dëshirë. Kombëtarja kërkon kthesën dhe kthimin e besimit të plotë te rruga drejt suksesit.