Shkëndija nuk ia del ndaj Qarabag – vendos penalltia e Bayramov

Shkëndija -Qarabag 0-1
Shkëndija -Qarabag 0-1

Shkëndija e Tetovës u mposht me rezultat të ngushtë 0-1 nga Qarabag Agdam, në një ndeshje të fortë dhe me ritëm të lartë, e vlefshme për turin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Goli i vetëm i sfidës u shënua në minutën e 18-të nga Toral Bayramov, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë (18′) pas një vendimi të akorduar nga gjyqtarët pas konsultimit me VAR-in. Portieri Baboucarr Gaye nuk mundi të ndalte goditjen e saktë drejt cepit të sipërm të djathtë.

Pjesa e parë ofroi disa raste të mira për të dy skuadrat. Qarabag ishte më këmbëngulës në sulm, por edhe Shkëndija iu afrua golit në disa momente, përmes goditjeve të Besart Ibraimit dhe Endrit Krasniqit, të cilat u ndalën nga portieri polak Mateusz Kochalski.

Në pjesën e dytë, Shkëndija shtoi presionin dhe krijoi disa raste të rrezikshme, me Ibraimin, Tamba dhe Zejnullain që testuan portierin kundërshtar, por Kochalski ishte në ditën e tij më të mirë, duke bërë disa pritje vendimtare.

Ndeshja u karakterizua nga shumë ndërhyrje të forta, me gjyqtarin që ndau plot shtatë kartonë të verdhë, tre prej tyre për lojtarët e Qarabag dhe katër për vendasit.

Trajneri Qurban Qurbanov bëri disa zëvendësime taktike në pjesën e dytë për të ruajtur avantazhin, ndërsa Shkëndija provoi gjithçka për të barazuar, por pa sukses.

Sfida e kthimit do të luhet javën e ardhshme në Azerbajxhan, ku Shkëndija do të kërkojë përmbysjen për të mbajtur gjallë ëndrrën europiane.