Zum Inhalt springen
sylvinho gjimshiti

Shqipëri–Andorrë: Silvinho dhe Gjimshiti kërkojnë vetëm tre pikët për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit

Von
3 Min. Lesezeit

Në prag të sfidës ndaj Andorrës, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinho, dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë dalë në konferencë për shtyp për të ndarë pritshmëritë dhe atmosferën në skuadër përpara kësaj ndeshjeje të rëndësishme në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026.

Sfida do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “FAF” në Andorrë, dhe tre pikët janë objektiv absolut për kuqezinjtë, të cilët ndodhen në një pozicion historikisht të favorshëm për të siguruar pjesëmarrjen në fazën play-off të Kupës së Botës.

Silvinho: Kujdes maksimal ndaj një kundërshtari që nuk dorëzohet lehtë

Trajneri brazilian theksoi se ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë, pavarësisht se në letër Shqipëria shihet si favorite. “Andorra është një skuadër e organizuar që ka treguar rezistencë ndaj kundërshtarëve të mëdhenj. Kemi analizuar me kujdes ndeshjet e tyre, përfshirë barazimin me Serbinë dhe humbjen minimale ndaj Anglisë”, u shpreh Silvinho.

Ai theksoi se përgatitjet janë fokusuar më tepër në aspektin taktik dhe analizën e kundërshtarit për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion, ndërsa shtoi se skuadra është në gjendje të mirë fizike dhe mendore.

Silvinho nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit dhe shpirtit luftarak që ka karakterizuar ekipin gjatë këtij cikli. “Ekipi do të futet në fushë me të njëjtin mentalitet si në ndeshjet e mëparshme, por mund të ketë ndonjë ndryshim në përbërje, në varësi të profilit të kundërshtarit,” shtoi ai.

Gjimshiti: Ndeshje kyçe për historinë tonë – vetëm fitorja na mban gjallë ëndrrën

Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, i vetëdijshëm për peshën e kësaj ndeshjeje, theksoi se skuadra është e përqendruar vetëm te fitorja. “E dimë sa e rëndësishme është kjo ndeshje për rrugëtimin tonë drejt Botërorit. Kundërshtari nuk është për t’u nënvlerësuar, por ne kemi ardhur për tre pikët”, tha mbrojtësi kuqezi.

Gjimshiti pranoi se as vetë nuk e kishte menduar dhjetë vjet më parë që Shqipëria do të ishte kaq pranë një play-off-i për Kupën e Botës, por shtoi se rritja e grupit, përfshirja e lojtarëve të rinj dhe ruajtja e kohezionit kanë qenë çelësi i ecurisë aktuale.

Në lidhje me pritshmëritë për një gol personal, ai u shpreh: “Si mbrojtës fokusi im është që të mos pësojmë. Nëse vjen rasti për të shënuar, pse jo. Më e rëndësishmja është të fitojmë.”

Kapiteni kuqezi falënderoi edhe tifozët që pritet të jenë të shumtë në tribunat e stadiumit: “Mbështetja e tyre është një motivim shtesë. Shpresojmë që në fund t’i bëjmë të lumtur me një fitore.”

Standings provided by Sofascore
Teilen: Facebook X