Kalo te përmbajtja
Sunday, 14 June 2026
Hendboll

Shqiponja mposht Ferizajn në përballjen kryesore, Samadrexha ruan kreun

Skuadra e hendbollit të femrave, Shqiponja nga Gjakova, ka regjistruar një fitore bindëse ndaj Ferizajt, në takimin kryesor të javës së shtatë të Superligës së Kosovës.

Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Shqiponja triumfoi me rezultat të thellë 41:27. Dyshja Ana Carolina Gonçalves me 14 gola dhe Alma Nivokazi me 13, ishin shtyllat kryesore të suksesit gjakovar. Ndihmë të vlefshme dha edhe Juleidt Lourençao me shtatë gola.

Ferizaj, që pësoi humbjen e parë pas katër fitoreve radhazi, u udhëhoq nga Elsa Kongjeli me tetë gola, ndërsa Sevdanur Ozkan dhe Shkurte Mehmeti kontribuan me shtatë dhe pesë gola përkatësisht.

Ndërkohë, liderja e tabelës, Samadrexha, vazhdoi formën mbresëlënëse duke shënuar fitoren e gjashtë radhazi. Në ndeshjen ndaj Terezës të luajtur në Obiliq, Samadrexhaset fituan me rezultat 40:27. Jennifer Abreu Toledo shkëlqeu me 12 gola, ndërsa Tina Hetemi dhe Vitoria De Paula Oliveira realizuan nga nëntë herë. Te skuadra e Terezës, Kaltrina Paci me nëntë gola dhe Bleona Hashani me pesë, ishin më efikaset.

Me këtë fitore, Samadrexha mban kreun e renditjes me 12 pikë, dy më shumë se ndjekëset më të afërta, Shqiponja dhe Istogu.

Kampioni aktual, Istogu, nuk pati vështirësi ndaj Kastriotit, duke fituar 42:23 në një ndeshje të zhvilluar në Ferizaj, ndonëse ishte vendas. Suzana Ujkiq realizoi 11 gola për istogaset, ndërsa Farida Mabrouk shtoi nëntë. Nikelina Franca u veçua te Kastrioti me 13 gola.

Edhe Prishtina shënoi fitore bindëse ndaj Ulpianës në ndeshjen e luajtur në Lipjan. Me rezultat 45:28, Sia Celine Tolno ishte e pandalshme me 15 gola, Angelika Luberecka realizoi dhjetë dhe Eduarta Kurteshi nëntë. Për Ulpianën, Doruntina Qufaj kontribuoi me 12 gola, ndërsa Bintou Oulare me nëntë.

Pas javës së shtatë, Prishtina regjistron fitoren e tretë në kampionat, ndërsa Ulpiana, Kastrioti dhe Besa mbeten pa pikë.

tabela 1