
Kampioni i Kosovës, Rahoveci, fituesi i Kupës, Kastrioti, dhe finalistja e Kupës, Besa Famgas, do të përfaqësojnë vendin në Kupën Evropiane për hendbollistë (EHF European Cup).
Besa Famgas e nis garën nga raundi i parë, ku marrin pjesë 18 skuadra. Kjo fazë do të hidhet në short më 15 korrik, ndërsa ndeshjet zhvillohen më 6/7 dhe 13/14 shtator. Skuadra pejane është në mesin e ekipeve bartëse, përcjellë “Kërlaçki”.
Rahoveci dhe Kastrioti paraqiten në raundin e dytë, që përfshin gjithsej 64 skuadra. Ndeshjet luhen më 11/12 dhe 18/19 tetor.
Në short, Rahoveci do të jetë ekip bartës, ndërsa Kastrioti jo. Në total, 73 skuadra garojnë në këtë edicion të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Në konkurrencën e femrave, katër skuadra kosovare do të marrin pjesë në Kupën Evropiane (EHF European Cup), të gjitha duke filluar nga raundi i dytë, ku garojnë 50 skuadra evropiane.
Shorti për këtë fazë do të mbahet më 15 korrik. Istogu, kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës, është në mesin e skuadrave bartëse. Skuadrat e tjera pjesëmarrëse janë Samadrexha (nënkampione), Ferizaj (finalist i Kupës) dhe Shqiponja e Gjakovës. Këto tri ekipe do të jenë jobartëse në short.
Në dy raundet e para të kësaj gare paraqiten gjithsej 57 skuadra, ndërsa shtatë ekipe nisin garën direkt nga raundi i tretë.
Ndeshjet e raundit të dytë për hendbollistet do të luhen më 27/28 shtator dhe 4/5 tetor.
Secila përballje zhvillohet me dy ndeshje – një në shtëpi dhe një në udhëtim – dhe 25 skuadra do të kualifikohen për raundin e tretë.