
Gjatë turneut “Fadil Vokrri”, u mblodhën shumë emra legjendarë të FC Prishtinës – tani veteranë dhe trajnerë futbolli. Secili prej tyre ka një rrëfim të veçantë; histori që do t’i mjaftonin për t’i kushtuar një autobiografi të vërtetë sportive — një lloj të tillë që te ne, fatkeqësisht, mungon. Më poshtë Kërlaçki do t’ju prezantojmë një portret të shkurtër për secilin prej tyre.

Ajet Shosholli (80) – Mitrovicasi, trajner i shumë skuadrave të njohura vendore si Vushtrria, Vëllaznimi (la gjurmë në Ligën e Dytë të Jugosllavisë), Shkëndija e Tetovës (në vitet ’90, në kohë të vështira për shqiptarët në Maqedoni)… Ish-seleksionues i Kombëtares së Kosovës, por emri i tij jehon më së shumti te klubi më i madh i vendit, Prishtina.
Së bashku me Hysni Maxhunin, udhëhoqi Prishtinën në Ligën e Parë të Jugosllavisë. Më pas, si kryetrajner, e drejtoi klubin nga viti 1990 deri në 1993. U rikthye në klub në vitin 1999 për të fituar titullin e parë pas luftës. Së bashku me Tovërlanin, pas Tortoshit (me 4 tituj), është trajneri më i suksesshëm në historinë e re të klubit me 3 tituj kampioni.

Ramiz Krasniqi (67) – “Mizi”, me temperamentin e tij të drejtpërdrejt, është ikonë e qytetit të Prishtinës. Sulmues i jashtëzakonshëm i “gjeneratës së artë”. Ndihmës i trajnerëve si Shosholli e Tortoshi, e në fund edhe kryetrajner i skuadrës — megjithëse i pafat dhe i shkarkuar kur ishte në pozitën e parë në renditje.
Klubi i ka borxh shumë këtij njeriu që kurrë nuk doli kundër, as në kohët më të vështira. Suksesin më të madh e arriti me Feronikelin, duke e shndërruar në një klub të mirëfilltë dhe duke i treguar rrugën që më pas Feronikeli e ndoqi. Ka fituar dy Kupa të Kosovës: një me Prishtinën dhe një me Feronikelin.
Fadil Berisha (60) – I quajtur “Beckenbauer”, fëmijë i Prishtinës. Klubin e qytetit e ndërroi vetëm tre herë: fillimisht me Ramiz Sadikun, pastaj me Shkëndijën e Tetovës në vitet ’90 dhe më pas për një gjysmësezon të papërfunduar, për shkak të luftës, me Besianën.
Tërë jetën mbrojti ngjyrat e Prishtinës, me të cilën debutoi në Ligën e Parë të Jugosllavisë. Fitues i shumë titujve si futbollist dhe kapiten. Si trajner, fitoi Kupën e Kosovës në vitin e vështirë 2016. Aktualisht është zëvendëstrajner i Arbnor Morinës në Kombëtaren U17 të Kosovës.
Isa Sadriu (61) – “Kaqurreli” nga Vushtrria, mbrojtës i majtë. Fillimisht u transferua nga Trepça në Partizanin e Beogradit, për t’u rikthyer në Prishtinë, ku luajti pesë vjet (1987–1992). Aktualisht është koordinator i seleksioneve në Kombëtaren e Kosovës.
Sheremet Isufi – “Shera”, mbetet golashënuesi më i mirë i bardhekaltërve pas luftës, me 60 gola. Ende i pakapshëm. Fitues i tre titujve kampion me Prishtinën. Mban rekordin e realizimeve që vështirë se do t’i afrohet dikush nga viti 1999 e këndej.
Azem Ahmeti – Me 254 paraqitje zyrtare me skuadrën (2006–2014), është futbollisti me më së shumti paraqitje pas luftës, me katër tituj kampioni të fituar. Si trajner, fitoi trofeun e kampionëve në edicionin e parë të garave për U21 me FC Prishtinën.
Florim Humolli – Futbollisti që, pas Prishtinës, kaloi vetëm në një klub tjetër, Flamurtarin, në fund të karrierës. Me 235 paraqitje zyrtare pas luftës, renditet i dyti. Aktiv për 10 sezone pas vitit 1999, por ishte pjesë e klubit edhe para luftës, kohë kur statistikat mungojnë. Pa dyshim, ndër futbollistët me më së shumti paraqitje në historinë e klubit.
Milaim Humolli – “Babushi”, ka ndryshuar skuadër dy herë: me Besianën e famshme të vitit 1997 dhe kur u “dëbua” nga ekipi për shkak të ndryshimeve në klub (2005). U rikthye sërish, por e përfundoi karrierën në Flamurtar. Ishte ndër futbollistët më të dashur të Plisave të pasluftës, ndoshta sepse luante në krahun e djathtë, afër tribunës lindore, ku shpesh bënte “kërdinë” ndaj kundërshtarëve.
Debatik Curri – Fitoi titullin e kampionit në moshë të re me Prishtinën. U bë i njohur në Kombëtaren e Shqipërisë dhe u rikthye për të përfunduar karrierën në klubin e zemrës. Si trajner, fitoi Kupën e Kosovës me bardhekaltërit.
Armend Dallku – Djali i ikonës tjetër të klubit, Sabit Dallku. I ashpër, i pakompromis, dhe i pandryshueshëm edhe sot. Ka luajtur vetëm për katër klube: Vushtrrinë, Elbasanin, Vorskla dhe Prishtinën. E përmbylli karrierën me Prishtinën dhe fitoi Kupën e Kosovës si trajner i saj.
Suad Keçi – “Suki”, magjistari i topit. Pas luftës nuk u paraqit më me Prishtinën. Vëllai i vogël i Sunajit, ishte legjendë e viteve ’90. Me Prishtinën kishte fituar gjithçka. Më pas kaloi te Besiana dhe në klube jashtë vendit. Ishte kënaqësi të shihje “Sukin” duke manovruar në fusha të vështira prej djerrinash. Një talent i jashtëzakonshëm. Për një periudhë ishte edhe kryetrajner i Prishtinës, si dhe trajner i U19 dhe kampion me klubin e femrave FCF Prishtina.
Liridon Kukaj – Me 6 sezone e gjysmë te Prishtina, bën pjesë në top-dhjetëshen e paraqitjeve pas luftës. Fitues i të gjitha trofeve me bardhekaltërit. Ka qenë zëvendëstrajner dhe trajner i ekipit U19.
Fatmir Namani – I paharruar për një gol të vetëm që i solli Prishtinës titullin e parë pas luftës. Në Hogosht, ku pak kush fitonte. Në një ndeshje vendimtare, pas një harkimi nga krahu, Namani shënoi me kokë, duke i dhënë klubit trofeun e parë në liri dhe të katërtin në histori. Në sezonin 1999/00, zhvilloi 29 ndeshje dhe shënoi 5 gola.
Muhamet Dragusha – “Muja”, me qëndrim më të shkurtër te Prishtina nga të gjithë në listë. Megjithatë, ka fituar një titull kampioni (2003/04), 32 paraqitje dhe 2 gola.
Besart Bajraktari – Portieri zëvendës i ikonës Ahmet Beselica. Ishte i pari që zëvendësoi titullarin e lënduar. Aktiv në 6 sezone, me vetëm 17 paraqitje për shkak të konkurrencës së fortë.
Besart Ismajli – Në tri sezone me bardhekaltërit, regjistroi vetëm një paraqitje zyrtare. Emrin dhe famën e krijoi me Trepçën, largimi i të cilit shkaktoi përplasje në qytet mes Plisave dhe drejtuesve mitrovicas.
Ruzhdi Gashi – “Rrulle”, ekonomi legjendar i skuadrës. Nga fillim vitet 90-ta nëpër ara, vazhdon të jetë pjesë e skuadrës. Nëpër duart e tij kanë kaluar të gjitha fanellat e çdo futbollisti për gati 30 vitet e fundit. Ndërsa, më parë tifozi i flaktë i skuadrës, i udhëtimeve të rrëzikshme nëpër Çaçaka, Krushevca e Beograda, së bashku me shumë të tjerë të cilët kanë kaluar edhe nëpër klub, si ish-trajneri i portierëve, Bahri Gashi “Stupci”, dhe qëllojani ku e kishte marrë këtë nofkë që pakkush ka guxuar t’ia përmend, në Shumadi të Serbisë, në Çaçak!, para shumë e shumë vitesh, në të 70-at.