Endrit e Ismet ademi

Synojnë majat e peshave të rënda (nga e majta): trajneri i Universum Artur Grigorian, Endrit & Ismet Ademi dhe promotori Ismail Özen.

Shkruan Bild, foto: Ralf Schmitt

Në vitin 1996, Vitali (tani 54 vjeç) dhe Wladimir Klitschko (49) nënshkruan kontratën e tyre të parë profesionale. Nga stalla e boksit Universum në Hamburg, ata u nisën për të pushtuar botën e peshave të rënda dhe shënuan një epokë të tërë në boksin elitar.

Këtë javë, dy vëllezër të tjerë në peshat e rënda nënshkruan kontratë me të njëjtën stalle të njohur: Ismet (23) dhe Endrit (20) Ademi.

Të rritur në Aachen, vëllezërit Ademi grumbulluan gjithsej tetë tituj kampionë të Gjermanisë për klubin BC Helios si amatorë (nga 40 ndeshje secili). Tani, ndihen të gatshëm për të hedhur hapin e madh drejt arenës profesionale.

Starti i bashkëpunimit: 1 janar

Promotori Ismail Özen (43 vjeç) është entuziast: “Janë dy talente të shkëlqyera. Pikërisht çfarë i duhet boksit gjerman. Kanë potencial dhe besojmë se së bashku do ta arrijmë qëllimin.”

Familja e tyre vjen nga Kosova. Babai, Lavdimi, ishte pasionant i arteve marciale dhe në shtëpi ngriti një palestër të vogël për fëmijët: me thes boksi, shtangë për tërheqje dhe rrip vrapimi. Kur Ismeti ishte vetëm 10 vjeç, babai i regjistroi të dy në BC Helios.

“Që në fillim ishim të çmendur pas boksit, gjithmonë donim të bëjmë sparring”, rrëfen Ismeti. “Nuk donim të stërviteshim ‘siç duhet’, thjesht donim të luftonim. Dhe i rrëzonim një e nga një çunat më të mëdhenj.”

Edhe pse stërviten bashkë dy herë në ditë, një gjë ka qenë gjithmonë e qartë: “Me njëri-tjetrin nuk përballemi. As në sparring”, thekson Ismeti. “E kemi premtuar ndaj prindërve dhe vetes. S’ka rëndësi sa para ofrohen – nuk do ta bënim kurrë.” Siç vepruan edhe idhujt e tyre, vëllezërit Kliçko.

Afër edhe jashtë ringut

Deri para gjashtë muajsh, vëllezërit flinin në të njëjtën dhomë me prindërit. Tani jetojnë në një banesë së bashku. “Gjithçka e bëjmë bashkë”, thotë Endriti. Ismeti shton: “Nëse ai fiton, fitoj edhe unë. Nëse ai humb, humbas edhe unë. Jemi njësoj.”

Stërvitja dhe planet për të ardhmen

Ndryshe nga vëllezërit e famshëm nga Ukraina, Ademit nuk kanë në plan të shpërngulen në Hamburg – duan të qëndrojnë në ambientin që njohin. Përgatitja fizike bëhet nga ish-profesionisti i NFL, Chris Mohr (45) në Aachen, ndërsa pjesa teknike e boksit nga trajneri “Coach Anil” Büyüktunca (32) në Kaarst, një orë larg.

Kalimi nga boksi olimpik (vetëm tre raunde) te profesionalizmi nuk i tremb aspak. “Jam shumë i motivuar për këtë hap”, thotë Ismeti. “Kush na njeh, e di që jemi boksierë me grusht të rëndë. Aty ku godasim, nuk mbin më bar. Dhe me më shumë raunde, do të ketë edhe më shumë goditje të forta.”

Promotori Özen synon t’i nxjerrë në ring në muajin shkurt: “Qëllimi i parë është kampionati gjerman. Më pas do të ecim hap pas hapi.”

Për vëllezërit Ademi, nuk ka dilema:
“Qëllimi ynë është të bëhemi kampionë bote – si vëllezër!”