#post_seo_title
Sigal Prishtina u rikthye te fitorja në ProCredit Superligë, duke triumfuar në Gjakovë ndaj Vëllaznimit me rezultat 86:91 (21:17, 16:27, 23:25, 26:22), në kuadër të javës së gjashtë.
Çereku i parë solli shumë rikthime në rezultat nga të dyja skuadrat, por u mbyll me katër pikë epërsi për vendasit. Në periudhën e dytë, prishtinasit dominuan plotësisht, duke e fituar atë 16:27 dhe duke shkuar në pushim me avantazh 37:44.
Kryeqytetasit vazhduan shkëputjen edhe në periodën e tretë, duke arritur deri në +16 (40:56), megjithëse kuqezinjtë reaguan dhe e ngushtuan diferencën në 60:69 pas 30 minutash lojë. Edhe në çerekun e fundit mysafirët patën epërsi deri në 16 pikë, por Vëllaznimi e uli rezultatin në vetëm katër pikë (84:88).
Megjithatë, bardhekaltrit menaxhuan mirë sekondat e fundit dhe vulosën fitoren 86:91.
Marques Warrick shënoi 24 pikë për Vëllaznimin, Ziggy Ride kontribuoi me 21, ndërsa Rron Dahsyla shtoi 14. Te Sigal Prishtina, më i miri ishte Adrio Bailey me 25 pikë dhe shtatë kërcime.
Pas kësaj ndeshjeje, Vëllaznimi ka bilanc 1–5, ndërsa Sigal Prishtina ngjitet në 4–2.