Sot është “gjithçka ose asgjë” për Jasharin

Ardon Jashari
Ardon Jashari

Mesfushori shqiptar, Ardon Jashari, pritet të zhvillojë sot një takim vendimtar me drejtuesit e Club Brugge, në përpjekje për të finalizuar largimin nga klubi belg. Ky takim do të jetë kyç për të ardhmen e tij, me bisedime që parashikohen të jenë intensive dhe të drejtpërdrejta.

Jashari synon të ritheksojë dëshirën e tij për t’u bashkuar me AC Milan, pasi tashmë ka arritur një marrëveshje personale me gjigantët italianë. Sipas mediave belge dhe italiane, 21-vjeçari ka pranuar kushtet e një kontrate afatgjatë me skuadrën e Serie A dhe është i vendosur që këtë verë të bëjë hapin e madh në karrierë.

Pavarësisht hezitimit nga Club Brugge për ta lejuar largimin, Jashari do të kërkojë “dritën jeshile”, duke argumentuar se kalimi te Milan përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij profesional.

Nga ana tjetër, AC Milan mbetet optimist për finalizimin e transferimit dhe është duke punuar për të mbyllur detajet e fundit të marrëveshjes. Sipas raporteve, oferta e klubit italian kap vlerën e 33.5 milionë eurove plus pesë milionë të tjera në formë bonusesh.

I konsideruar si një nga talentet më premtues në Evropë, Jashari e sheh këtë lëvizje si ideale për të kaluar në një tjetër nivel, ndërsa takimi i sotëm mund të përcaktojë të ardhmen e tij.

Ardon Jashari