
Selektori i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, pret një reagim nga të përzgjedhurit e tij pas humbjes 2:0 nga Kosova më 8 shtator në “Fadil Vokrri”.
Suedia do të luajë më 10 tetor ndaj Zvicrës, ndërsa më 13 tetor pritet të presë përsëri Kosovën.
“Duhet të reagojmë. Duhet të kthehemi te ajo për të cilën jemi të mirë, te principet tona. Kështu ne jemi një ekip i mirë. Nuk i kemi respektuar këto parime në ndeshjen me Kosovën. Kemi luajtur ngadalë, me shumë prekje, dhe nuk kemi reaguar mjaftueshëm shpejt kur humbëm topin. Këto janë shenja që kemi luajtur zbehtë,” tha Tomasson.
Trajneri ka zhvilluar gjithashtu biseda me shumë lojtarë pas ndeshjes me Kosovën. Yjet e Suedisë mbeten Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak.
“Është mirë të shohësh që Gyokeres është gjithnjë e më i gatshëm. Isak po kthehet në formë, dhe kjo është e rëndësishme,” shtoi Tomasson.
Nga ekipi i Suedisë rikthehet Victor Lindelof i Aston Villas, ndërsa emri i ri që pritet të bëjë diferencën është talenti i Barcelonës, Roony Bardghji.
“Bardghji është një talent i madh, që është rikthyer nga lëndimi dhe po shfaqet mirë te Barcelona,” u shpreh Tomasson.
Lojtari Sebastian Nanaci mungon për shkak të një dëmtimi.