
Pas tri xhirove të para, Superliga e Kosovës ka treguar se nuk ka më ekipe të paprekshme. Çdo skuadër ka gabuar diku dhe asnjëra nuk ka arritur të marrë pikët e plota.
Kampioni aktual, Drita, edhe pse pjesëmarrës në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, nuk ka ende fitore: një barazim dhe një humbje në dy ndeshjet e para.
Prishtina e nisi fuqishëm me dy fitore, por u ndal nga Gjilani, që regjistroi fitoren e parë pas një nisjeje të dobët.
Dukagjini e nisi keq, por u rikthye me dy fitore radhazi, ndërsa Ferizaj pas dy fitoreve u ndal në shtëpi nga Ballkani. Ky i fundit, edhe pse me një pikë në dy ndeshjet e para, tashmë është ringjallur.
Drenica dhe Ballkani janë të vetmet skuadra pa humbje deri tani, ndërsa Prishtina e Re pas fillimit spektakolar ndaj Malishevës ka rënë me dy disfata radhazi.
Llapi vazhdon me formë të vakët, me vetëm dy pikë nga tri ndeshje, ndërsa Malisheva mbetet me një barazim dhe dy humbje.
Këto rezultate tregojnë qartë: ky sezon i Superligës do të jetë i ngushtë dhe çdo pikë mund të bëjë diferencën në garën për kreun dhe mbijetesën.