Sylvinho publikon listën e Shqipërisë për ndeshjet e shtatorit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka shpallur të premten listën e lojtarëve për dy ndeshjet e shtatorit.
Më 4 shtator, kuqezinjtë do të zhvillojnë një miqësore në udhëtim ndaj Gjibraltarit, ndërsa më 9 shtator do të rikthehen në “Air Albania” përballë Letonisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Shqipëria tashmë e ka ndeshur Letoninë në këtë cikël – më 10 qershor, ku barazoi 1:1 në Riga. Tre ditë më parë, më 7 qershor, kuqezinjtë kishin barazuar pa gola në Tiranë ndaj Serbisë. Prandaj, fitorja në përballjen e 9 shtatorit shihet si vendimtare për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

Kombëtarja nisi fushatën eliminatore në mars: më 21 mars pësoi humbje 2:0 në “Wembley” ndaj Anglisë, ndërsa më 24 mars reagoi me një fitore bindëse 3:0 ndaj Andorrës.
Për këtë grumbullim, Sylvinho ka ftuar lojtarë të konfirmuar dhe me përvojë. Sulmi do të udhëhiqet nga Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj dhe Mirlind Daku.
Kombëtarja do të grumbullohet më 2 shtator në Malaga të Spanjës, ndërsa në Tiranë pritet të kthehet më 5 shtator, për përgatitjet finale kundër Letonisë.
Lista e plotë e lojtarëve:
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Dajsinani
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Adrian Bajrami, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Ernest Muçi, Jasir Asani
Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku

