Të enjten (nesër), më 6 nëntor, në orën 11:00 në Vjenë, do të tërhiqet shorti për fazën e dytë kualifikuese të Kampionatit Botëror 2027 në hendboll për meshkuj.
Në këtë fazë, për herë të parë merr pjesë edhe Kombëtarja e Kosovës, e cila javën e kaluar eliminoi me sukses Britaninë e Madhe, duke shkruar një kapitull të ri në historinë e saj ndërkombëtare.
Kosova do të jetë e pozicionuar në vazon e dytë, së bashku me Sllovakinë, Lituaninë, Belgjikën, Finlandën, Izraelin, Letoninë dhe Turqinë. Ndërkohë, në vazon e parë janë Greqia, Bosnjë-Hercegovina dhe gjashtë përfaqësuese që do të renditen të fundit në grupet C, D, E dhe F të Kampionatit Evropian 2026, që zhvillohet në janar.
Kombëtarja jonë mund të përballet me secilën prej këtyre kombëtareve, dhe shorti i së enjtes pritet të jetë vendimtar për ecurinë e mëtejme.
Kualifikimet për Botërorin 2027 organizohen në tri faza, dhe kualifikimi në fazën e tretë për Kosovën do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Ndeshjet e fazës së dytë do të zhvillohen më 18/19 mars dhe 21/22 mars 2026.