Thirrje për UEFA dhe FIFA – pse Villarreal në Miami?

UEFA
#post_seo_title

Mbi 400 grupe tifozësh nga e gjithë Evropa i kanë bërë apel UEFA-s dhe FIFA-s që të ndalin planet e ligave spanjolle dhe italiane për të zhvendosur ndeshje kampionati jashtë kontinentit.

Federata e Futbollit të Spanjës ka dhënë dritën jeshile që përballja mes Barcelona dhe Villarreal të luhet në dhjetor në Miami, ndërsa Serie A synon të organizojë ndeshjen Milan – Como në shkurt, në Perth të Australisë.

Në prag të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që do të mbahet javën e ardhshme në Tiranë, organizata e tifozëve Football Supporters Europe (FSE) – e njohur zyrtarisht si grup lidhës me tifozët – ka bërë publike kundërshtimin e ashpër të tifozëve ndaj këtij projekti. Edhe një grup i tifozëve të Villarreal ka dalë hapur kundër.

“U kërkojmë UEFA-s, FIFA-s dhe federatave kombëtare të mbajnë qëndrim të qartë dhe të mbrojnë futbollin si pjesë e komuniteteve tona. Klubet nuk janë kompani shfaqjesh e as cirqe udhëtues, por ekzistojnë për njerëzit e tyre, për të krijuar përkatësi dhe traditë në stadiumet ku breza të tërë tifozësh kanë qenë prezentë”, thuhet në deklaratën e FSE, e mbështetur nga grupe tifozësh nga 25 vende.

Kritikët e këtyre planeve, përfshirë edhe zyrtarin e lartë të Komisionit Evropian për sportin, Glenn Micallef, kanë paralajmëruar se zhvillimi i ndeshjeve jashtë shtetit do të cënonte barazinë sportive dhe integritetin e kampionateve.

Sipas tyre, lejimi i Barcelona dhe Milan të luajnë jashtë vendit do të “hapte një Kuti të Pandorës me pasoja të paparashikueshme dhe të pakthyeshme”.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, kujtoi se UEFA ka kompetenca të kufizuara ligjore për të ndaluar këto ndeshje, nëse federatat përkatëse kombëtare janë dakord, por shtoi se një diskutim me FIFA-n është i domosdoshëm.