Thyhet rekordi i Major League Soccer në SHBA

Son
Son

Sulmuesi i Tottenham Hotspur dhe kapiteni i kombëtares së Koresë së Jugut, Son Heung-min (33 vjeç), është transferuar te skuadra amerikane Los Angeles FC.

Son, i cili qëndroi për 10 vite te Tottenham, njoftoi fundjavën e kaluar largimin nga klubi i Londrës Veriore një vit para përfundimit të kontratës, ndërsa menjëherë pas kësaj u përhapën lajmet se do të vazhdojë karrierën në SHBA.

Sipas ESPN-it, përcjellë Kërlaçki, Los Angeles FC do të paguajë 26 milionë dollarë (rreth 22.5 milionë euro) për kartonin e sulmuesit korean. Me këtë shifër thyhet rekordi i mëparshëm i Major League Soccer, i cili mbahej nga Atlanta United, që verën e kaluar kishte paguar 22 milionë dollarë (rreth 19 milionë euro) për Emmanuelle Latte Lath.

Son
Son

Dhjetë vite në Tottenham

Son Heung‑min është një nga futbollistët më të njohur të Azisë dhe një ikonë e futbollit modern aziatik. I lindur më 8 korrik 1992 në Chuncheon të Koresë së Jugut, ai u shpërngul në Gjermani në moshën 16-vjeçare, ku iu bashkua akademisë së Hamburger SV dhe debutoi në Bundesliga në vitin 2010. Pas tri sezoneve te Hamburger, kaloi te Bayer Leverkusen dhe më pas, në vitin 2015, te Tottenham Hotspur, ku shkroi historinë.

Gjatë 10 viteve me Tottenhamin, Son luajti 454 ndeshje dhe shënoi 173 gola, duke u bërë një nga lojtarët më të dashur për tifozët dhe një lider i vërtetë në fushë. Në sezonin 2021–22 ai fitoi “Golden Boot” si golashënuesi më i mirë i Premier League, ndërsa në vitin 2020 fitoi çmimin “FIFA Puskas Award” për golin më të bukur të vitit. Në prill 2023 arriti të bëhet lojtari i parë aziatik që shënon 100 gola në Premier League, një arritje historike.

Në nivel ndërkombëtar, Son ka përfaqësuar Korenë e Jugut në tre Kupa Bote (2014, 2018, 2022) dhe ka qenë lider i padiskutueshëm i kombëtares, me mbi 130 paraqitje dhe më shumë se 50 gola. Në Lojërat Aziatike të vitit 2018, ai udhëhoqi skuadrën drejt medaljes së artë, sukses që i mundësoi edhe shmangien e shërbimit ushtarak të detyrueshëm.

Largimi i tij nga Londra u përcoll me emocione të forta, si nga ai vetë, ashtu edhe nga tifozët. Në një konferencë në Seul, Son e përshkroi vendimin si më të vështirin në karrierë, por theksoi se kishte nevojë për një sfidë të re. Në ndeshjen e fundit miqësore me fanellën e Tottenhamit, zhvilluar kundër Newcastle në Seul, ai u prit me ovacione të gjata dhe përshëndetje të ngrohta nga tifozët dhe ish-bashkëlojtarët.

Transferimi në MLS konsiderohet një hap i madh për popullarizimin e futbollit në Shtetet e Bashkuara. Ai pritet të jetë një prej yjeve kryesorë të ligës dhe një ambasador i vërtetë për sportin në një treg gjithnjë e më të interesuar për futbollin ndërkombëtar.