Trajneri i Shamrock Rovers, Stephen Bradley, pranoi se skuadra e tij bëri një nga paraqitjet më të dobëta në pjesën e parë të ndeshjeve evropiane, gjatë disfatës 1:0 ndaj Prishtinë në Kosovë, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Ishim të dobët në çdo aspekt në pjesën e parë. E dyta ishte pak më e mirë, por në përgjithësi ishim shumë poshtë nivelit që kemi treguar në kampionat dhe Evropë,” tha Bradley pas ndeshjes.
Pavarësisht disfatës, trajneri i kampionëve të Irlandës beson se gjithçka mbetet e hapur:
“Pozitivja është që rezultati është vetëm 1:0 dhe ne jemi ende në lojë. E dimë që në Tallaght do të jemi shumë më mirë.”
Shansi më i mirë për Rovers erdhi në minutat e fundit, kur Josh Honohan u ndal nga portieri Adnan Golubovic pas një goditje me kokë.
Edhe më herët, Rovers kërcënuan përmes goditjeve standarde, por pa sukses.
Bradley theksoi se ekipi i tij do të rikthehet më i fortë në ndeshjen e kthimit:
“Nuk mbaj mend herën e fundit që kemi qenë kaq dobët në Evropë në një pjesë të parë. Por jam i bindur se kemi mjaftueshëm në grup për ta përmbysur këtë duel.”
Ndeshja e kthimit zhvillohet të enjten e ardhshme në Dublin.