
Kampioni i Kosovës në basketboll, Trepça, është mposhtur në shtëpi nga Basketball Braunschweig me rezultat të përgjithshëm 74:80, në kuadër të FIBA Europe Cup. Edhe pse mitrovicasit nisën më mirë, duke fituar çerekun e parë dhe barazuar të tretin, ishte çereku i katërt ai që i kushtoi fitoren.
Trepça – Basketball Braunschweig 74:80
(18:14, 14:20, 24:24, 14:26)
Skuadra gjermane dominoi në momentet vendimtare të ndeshjes, duke e fituar çerekun e fundit 14:26 dhe duke marrë një fitore të merituar në palestrën “Minatori”.
Te Trepça, më efikasi ishte Arlanagiç me 20 pikë, 3 kërcime dhe 8 asistime. Ai u pasua nga Brown me 16 pikë dhe 5 kërcime, Amzil me 13 pikë, 10 kërcime dhe 3 asistime, si dhe Hajrizi me 13 pikë dhe 2 kërcime.
Për mysafirët, më i dalluari ishte Sherfield me 21 pikë, 4 kërcime dhe 8 asistime.
Kjo ishte humbja e dytë për “Xehtarët” në këtë garë, pas asaj ndaj PAOK-ut në Selanik. Tani Trepça do të kërkojë të rikthehet te fitorja në javën e ardhshme, kur në “Minatori” do të përballet me ekipin polak Anwil – i cili sonte luan në Selanik ndaj PAOK-ut.