UEFA e pamëshirshme ndaj klubeve nga Bosnja e Hercegovina – gjobiten me gati 100 mijë euro

Sarajeva
Sarajeva

UEFA ka vendosur sanksione të reja financiare ndaj klubeve boshnjake për shkak të incidenteve gjatë ndeshjeve evropiane të zhvilluara këtë verë. Totali i gjobave arrin shifrën prej afro 100 mijë eurosh.

Pjesën më të madhe të gjobës e mban kampioni aktual, Zrinjski i Mostarit, i cili do të duhet të paguajë plot 59.250 euro. Ky ekip është ndëshkuar për përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë ndeshjeve kualifikuese për Ligën e Kampionëve – 15.500 euro pas ndeshjes së parë kundër Virtusit në San Marino, 19.250 euro pas takimit të kthimit, si dhe 15.250 dhe 9.250 euro pas përballjeve me Slovan Bratislava.

As klubi i Zheljezniçar nuk i ka shpëtuar gjobave. UEFA e ka dënuar me 25.550 euro pas trazirave të ndodhura në ndeshjen kundër Koprit në Slloveni. Shuma më e madhe e gjobës – 20.000 euro – është vendosur për hedhjen e sendeve në fushë, ndërsa 5.000 euro për hyrjen e tifozëve në terren dhe 500 euro për ndezjen e fishekzjarrëve.

Sarajeva është ndëshkuar me 14.000 euro pas takimit me Craiovën, për shkelje të rregullave të sigurisë, konkretisht për bllokimin e korridoreve publike në stadium.

Më herët është gjobitur edhe Borci i Banja Llukës me mbi 70.000 euro dhe sërish Zheljezniçar me 5.000 euro shtesë.