
Ndeshja mes Serbisë dhe Anglisë (0:5) në stadiumin “Rajko Mitiç – Marakana” u shoqërua me skena kaotike në tribuna, duke e bërë mbrëmjen edhe më të rëndë për përfaqësuesen e Dragan Stojkoviç Piksi, e cila pësoi një disfatë të thellë.
— Dečak iz kraja (@Virim_iz_coska) September 9, 2025
Problemet nisën që para fillimit të lojës, kur selektori Piksi u prit me fishkëllima të forta nga tifozët, të cilët brohoritën kundër tij. Nga tribuna u dëgjuan edhe thirrjet “Pumpaj, pumpaj” (Fryej, fryej…thirrje ironike kundër regjimit të Vuçiçit), që u përsëritën disa herë gjatë ndeshjes. Pas dy golave të shpejtë të Anglisë në pjesën e parë, Piksi u përcoll në dhomat e zhveshjes me thirrjet “Piksi, IK!”.
Në pjesën e dytë, pas tre golave të tjerë dhe paraqitjes së shëmtuar në fushë nga Serbia, atmosfera në stadium u përshkallëzua. Një pjesë e madhe e tifozëve filloi të këndonte “Ko ne skače, taj je ćaci” (thirrje tallëse për idhtarët e pushtetit në Serbi) , ndërsa nuk munguan as sharjet dhe fyerjet drejtuar presidentit Aleksandar Vuçiç.
— Dečak iz kraja (@Virim_iz_coska) September 9, 2025
Në këtë moment u shfaqën huliganë të veshur në të zeza, të cilët goditën tifozë të tjerë në tribuna. Në lindje të stadiumit, kamerat fiksuan pamje të përleshjeve, ku tifozët paqësorë u detyruan të largoheshin për të shmangur dhunën, duke krijuar boshllëqe në tribuna. Përleshje u raportuan edhe në sektorin perëndimor.
Shumë tifozë, të zhgënjyer si nga skenat e dhunës, ashtu edhe nga paraqitja e dobët e skuadrës, e braktisën stadiumin shumë përpara fundit të takimit. Edhe në minutat e fundit, thirrjet kundër Piksi-t nuk pushuan, duke i shtuar presionin selektorit të Serbisë.
Një pjesë e incidentit dhe pamjet nga kaosi në “Marakana” mund të shihen në videot e shpërndara pas ndeshjes.
T’ju kujtojmë, ndeshja Serbi – Shqipëri zhvillohet më 11 tetor.