
Liga e Kombeve në Volejboll (VNL) 2025 ka regjistruar sukses të jashtëzakonshëm, duke thyer rekorde shikueshmërie dhe duke zgjeruar mbulimin mediatik në tregjet kryesore si Brazili, Polonia dhe Turqia. Shifrat e fundit konfirmojnë rritjen e vrullshme të garës dhe e pozicionojnë volejbollin mes sporteve më të ndjekura drejtpërdrejt në botë.
Rekord në Brazil
Në Brazil, entuziazmi për VNL arriti nivele historike. Vetëm gjatë vitit 2025 u transmetuan 666 orë të dedikuara për garën – një rritje prej 24% krahasuar me vitin e kaluar. Rreth 16% e popullsisë së panelit televiziv kombëtar, ose 11.1 milionë shikues, ndoqën ndeshjet.
Që nga viti 2022, VNL ka tërhequr 12.4 milionë shikues të rinj në Brazil. Përballja e femrave Brazili–Italia në Globo arriti një audiencë mesatare prej 2.7 milionësh, duke u renditur si transmetimi i dytë më i ndjekur sportiv i vitit jashtë futbollit. Në televizionin me pagesë, VNL dominoi totalisht, duke zënë të gjitha 10 vendet e para të transmetimeve sportive live të vitit 2025. Me një audiencë javore mesatare prej 1.6 milionësh, volejbolli la pas sporte madhore si Formula 1, Wimbledon dhe NBA.

Polonia ndez pasionin për volejbollin
Polonia shënoi gjithashtu rritje të ndjeshme të interesimit. Në vitin 2025 u transmetuan mbi 1,046 orë të dedikuara për VNL – 42% më shumë se në vitin 2024. Finalja e meshkujve mes Polonisë dhe Italisë thyen rekordet, duke tërhequr 3.8 milionë shikues në Polsat Sport 1 dhe në televizionin kombëtar falas. Ky ishte transmetimi sportiv më i ndjekur në Polsat Sport në 25 vitet e fundit.
Tetë nga dhjetë audiencat më të mëdha të VNL në Polsat gjatë dy viteve të fundit i përkasin edicionit të këtij viti. Me një audiencë javore mesatare prej 5.3 milionësh, volejbolli e kaloi popullaritetin e sporteve si Open Championship, Formula 1, UFC dhe NBA.
Turqia, rritje historike e ndjekjes
Në Turqi, orët e transmetimit u rritën me 63% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në gati 400 orë. Përballja e femrave Turqi–Çeki në TRT 1 tërhoqi një audiencë mesatare prej 1.1 milionësh, 35% më e lartë se rekordi i vitit të kaluar. Në total, VNL arriti një audiencë javore kumulative prej 1.5 milionësh, duke lënë pas evente të mëdha sportive si Kampionati Evropian i Futbollit për Femra dhe Wimbledon.
Volejbolli, sport global në ngjitje
Në tregjet kryesore të botës, VNL jo vetëm që po thyen rekordet e veta, por po tejkalon edhe sporte të konsoliduara ndërkombëtarisht. Rezultatet e këtij viti tregojnë qartë një prirje të fuqishme: volejbolli po fiton zemrat dhe imagjinatën e tifozëve në një shkallë të paprecedentë në mbarë globin.