Vora

Tirana ka pësuar humbjen e katërt radhazi në Kategorinë Superiore, këtë herë përballë Vorës, duke zbritur në fund të klasifikimit pas javës së 11-të. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi” u mbyll me rezultatin 0-2 në favor të miqve, që treguan qartësi dhe vendosmëri në çdo repart.

Vora zhbllokoi sfidën që në minutën e 11-të me Bardhin, i cili përfitoi nga pasiguria e mbrojtjes vendase për të kaluar Tafasin. Në minutën e 32-të, Kasalla realizoi nga pika e bardhë, duke i dhënë goditjen e dytë Tiranës, pas një penalltie të shkaktuar nga Lleshi ndaj Adelojes.

Pjesa e dytë ishte më agresive për Tiranën, por pa saktësi në finalizim. Pavarësisht përpjekjeve të Falajes, Ismajlit dhe Tabekut, portieri Ruçi ishte i pakalueshëm dhe reagoi me siguri në çdo rast. Ndeshja u karakterizua nga nervozizëm në minutat e fundit, me disa ndërhyrje të ashpra dhe kartonë të verdhë për të dyja skuadrat.

Për trajnerin Nuhiu, kjo ishte ndeshja e dytë në stol, por pa mundur të ndryshojë rrjedhën negative të ekipit. Tirana mbetet në vendin e fundit në renditje, ndërsa Vora ngjitet në zonën e mesme me një fitore të çmuar në transfertë.

Tirana 0-2 Vora Bardhi 11’, Kasalla (p) 32’