Zhegrova: Krenar që përfaqësoj të gjithë shqiptarët, nofka “luan” më përfaqëson mentalitetin!

edon zhegrova
Edon Zhegrova

Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, u paraqit për herë të parë në konferencë për media si futbollist i Juventusit, duke theksuar se i përfaqëson të gjithë shqiptarët.

“Kryeministri i Shqipërisë më ndihmoi shumë me këtë transferim dhe jam mirënjohës. Ai ma dha pasaportën shqiptare, sepse përfaqësoj komunitetin shqiptar dhe jam krenar për këtë”, tha Zhegrova. Ai e kompletoi transferimin në fillim të këtij muaji, pas marrjes së pasaportës shqiptare, që e lehtësoi kalimin te Juventusi.

26-vjeçari nuk do të luajë në derbin kundër Interit këtë javë, por premton të japë mbështetjen për ekipin. Ai ka rikuperuar nga një lëndim që e mbajti jashtë fushave që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar dhe tashmë ka rifilluar stërvitjen.

Zhegrova shprehu entuziazmin për sfidën te Juventusi dhe synimin për të fituar çdo ndeshje: “Ky klub ka shumë cilësi dhe është emocionuese të jem pjesë e tij. Mezi pres të luaj dhe do të jap maksimumin kudo që trajneri më vendos.”

I njohur për driblimet dhe aksionet individuale, Zhegrova zakonisht lëviz nga e djathta drejt mesit dhe përfundon aksionet me këmbën e majtë. Ai po ashtu ka folur për nofkën e tij “Luani”, që sipas tij pasqyron mentalitetin e tij luftarak.