
Edon Zhegrova mund të largohet nga Lille gjatë kësaj vere, dhe Olympique de Marseille është përmendur si një destinacion i mundshëm për anësorin kosovar. Megjithatë, kjo ide ka ndarë opinionin e analistëve dhe tifozëve francezë.
Pavarësisht se disa mbështetës të OM do ta mirëprisnin një transferim të tillë, disa figura të njohura të medias sportive në Francë janë skeptikë, përcjellë “Kërlaçki”.
Florent Gautreau, analist në RMC, ka qenë mjaft kritik ndaj kësaj mundësie.
“Zhegrova, një ide e mirë për OM? Jo. Nuk është lojtar serioz. Duhet ndalur kjo histori. Është shumë e komplikuar,” ka deklaruar ai, duke nënvizuar mungesën e stabilitetit të 26-vjeçarit.
“Sa herë që ka interes nga ndonjë klub, ai shpërthen, kërkon të largohet,” shton Gautreau.

Edhe pse e pranon talentin teknik të reprezentuesit të Kosovës, ai vë në dyshim qëndrueshmërinë e tij:
“Po, ai mund të bëjë diferencën. Dhe është e lehtë të mashtrohesh nga cilësitë e tij me topin. Por nëse nuk ka seriozitet dhe përqendrim, bëhet një rrezik për çdo klub.”
Një tjetër zë kritik është ai i Kevin Diaz, i cili thekson vështirësitë në aspektin mendor të lojtarit:
“Është një lojtar i vështirë për t’u menaxhuar. Gjithmonë do të largohet. Mendoj se nuk ka vetëdije të mjaftueshme për potencialin e tij dhe për atë që duhet të përmirësojë,” ka deklaruar Diaz.
“Në një grup si OM, ai do të ishte një sfidë më shumë sesa një përfitim,” shton ai.
Deri më tani, nuk ka konfirmime konkrete nga klubi marsejez për ndonjë interes të drejtpërdrejtë ndaj Zhegrovës, ndërsa drejtuesit e OM thuhet se janë të fokusuar në pista të tjera për repartin ofensiv.
Zhegrova ka realizuar 15 gola dhe 13 asistime në 80 paraqitje në Ligue 1 me Lille, ndërsa vlera e tij në treg vlerësohet rreth 25 milionë euro, sipas Transfermarkt.