
Gjilani ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit shqiptar Redi Kasa. Futbollisti 23-vjeçar, i lindur në Parma të Italisë, i bashkohet skuadrës gjilanase nga Egnatia e Shqipërisë.
Prezantimi i Kasës u bë përmes një videoje kreative të publikuar në faqen zyrtare të klubit, ku lojtari shfaqet duke mbërritur me motor, një mënyrë origjinale për të prezantuar ardhjen e tij te kuqebardhët, përcjellë “Kërlaçki”.
Redi Kasa ka një karrierë të ndërtuar në disa klube evropiane. Ai ka nisur te ekipet zinxhir të Parmas, për të vijuar më pas me skuadra si Olimpija Ljubljana (Slloveni), Septemvri Sofia dhe Tsarsko Selo (Bullgari), para se të transferohej në Kategorinë Superiore me Egnatian.
Me përvojë interesante dhe profil sulmuesi të ri e dinamik, Kasa mund të jetë një përforcim i rëndësishëm për ambiciet e Gjilanit në sezonin e ri.
Pas një edicioni me shumë ulje e ngritje ku nuk arriti të kapë zonën evropiane, gjilanasit kanë bërë transferime të bujshme në verë për një kampionat më të suksesshëm se ai që lamë pas.