491395075_1188020946640916_2866241876019268303_n

Pas zyrtarizimit të trajnerit të ri, grekut Mihalis Kakiouzis, Sigal Prishtina ka nisur të lëvizë fuqishëm edhe në merkato. Klubi kryeqytetas ka bërë të ditur sot afrimin e basketbollistit Arian Azemi nga KB Vëllaznimi.

Azemi ishte një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës gjakovare në edicionin e kaluar, duke pasur rol kyç në suksesin historik të Vëllaznimit në Ligën Unike. Ai shkëlqeu veçanërisht në finalen e zhvilluar pikërisht kundër Prishtinës, duke ndihmuar kuqezinjtë të ngrejnë trofeun në mes të kryeqytetit, përcjellë “Kërlaçki”.

Redaksia mëson që basketbollisti kishte kontakte edhe me drejtuesit e Trepçës pas përfundimit të edicionit, por marrëveshja nuk u konkretizua me sukses.

Me këtë përforcim, Prishtina merr një lojtar cilësor dhe të dëshmuar në basketbollin vendor, i cili pritet të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të ri të klubit për rikthimin në majë të basketbollit kosovar dhe rajonal.

Transferimi i Azemit shënon hapin e parë konkret në ndërtimin e një skuadre konkurruese, pas një sezoni nën pritshmëri për klubin më të titulluar në vend.

Burime pranë klubit bëjnë të ditur se priten edhe disa afrime të tjera në ditët në vijim. Qëllimi është i qartë: ndërtimi i një skuadre pretendente për titull.

518449327 18067146275512762 3684189120537639721 n