Vëllaznimi ka prezantuar përforcimin më të ri në radhët e tij, qendrën gjigante Dren Dedushaj. Lojtari 218 centimetra i gjatë pritet të jetë një armë e rëndësishme për skuadrën gjakovare në sezonin e ri.
Dedushaj karrierën e tij e nisi në Shtetet e Bashkuara, ku për dy edicione ishte pjesë e kolegjit Bryant Bulldogs në NCAA.
Pas rikthimit në Kosovë, ai u bashkua me Sigal Prishtinën, ku luajti dy sezone, ndërsa dy vitet e fundit i kaloi me fanellën e Bashkimit të Prizrenit.
Tashmë, qendra kosovare ka zgjedhur të vazhdojë karrierën në Gjakovë, duke iu bashkuar një prej skuadrave më tradicionale të basketbollit vendor.
Vëllaznimi ka bërë të ditur se Dedushaj është afruar për të forcuar repartin e brendshëm dhe i ka uruar mirëseardhje, me shpresën që do të ndihmojë skuadrën kuqezi në synimet e këtij sezoni.
