ZYRTARE: Trepça’89 përforcohet me dy lojtarë nga rivalët për inkuadrim në Superligë, priten ardhje të reja

Gani Sejdiu, trajner i skuadrës

Pas zyrtarizimit të trajnerit Gani Sejdiu në krye të pankinës, Trepça’89 ka konfirmuar edhe dy përforcimet e para për afatin e verës.

Klubi nga Mitrovica ka zyrtarizuar rikthimin e sulmuesit Erdin Dushi nga Vushtrria, si dhe afrimin e Egzon Qerimit, mesfushor që së fundmi ishte pjesë e Lirisë, përcjellë “Kërlaçki”.

Të dy lojtarët janë shprehur të entuziazmuar për aventurën e tyre të re te ‘Minatorët’.

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer aty ku e ndjej veten si në shtëpi. Jam plot motivim dhe i gatshëm të jap gjithçka për fanellën e Trepçës’89, me qëllimin e vetëm – kthimin në Superligë”, u shpreh Dushi për faqen zyrtare të klubit.

“Jam shumë i lumtur që i bashkohem një klubi me histori dhe traditë si Trepça’89. Ndihem si në shtëpi dhe jam i gatshëm të jap maksimumin për fanellën”, tha Qerimi.

Egzon Qerimi
Erdin Dushi

Në përpjekje për rikthim në Superligë, trajneri Sejdiu ka përforcuar edhe stafin teknik me dy figura emblematike të klubit.

Enis Manxholli, ish-portier dhe kampion me Trepçën’89, do të jetë trajner i portierëve.

Ndërsa Diar Mustafa, një tjetër kampion i klubit, i është bashkuar stafit si trajner kondicional.

Diar Mustafa dhe Enis Manxholli

Trepça’89 ka zhvilluar një ndeshje miqësore të shtunën kundër 2 Korrikut në stadiumin “Riza Lushta”, ku ka pësuar humbje me rezultat 2:0.

Pavarësisht rezultatit, kjo ishte një mundësi për stafin e ri teknik që të vlerësojë gjendjen e skuadrës dhe të testojë prurjet e reja.

Klubi pritet të konfirmojë edhe disa afrime gjatë ditëve në vijim.

89-shi u mposht të shtunën nga 2 Korriku në Mitrovicë