
Pavarësisht gjashtë humbjeve radhazi dhe mungesës së pikëve pas javës së gjashtë në Ligën e Parë, FC 2 Korriku ka dalë me një komunikatë zyrtare, ku konfirmon mbështetjen e plotë për shtabin teknik të drejtuar nga Labinot Haziri, si dhe për futbollistët dhe stafin e klubit.
Në njoftimin e bërë publik pas një mbledhjeje të kryesisë së klubit, të udhëhequr nga presidenti Rexhep Baholli, theksohet se pavarësisht rezultateve të dobëta, drejtuesit besojnë në filozofinë e ndërtuar prej kohësh dhe në potencialin e skuadrës për t’u rikthyer në rrugën e duhur.
“Jemi të vetëdijshëm se rezultatet nuk kanë qenë në përputhje me pritshmëritë, por vlerësojmë punën dhe angazhimin e të gjithë stafit dhe lojtarëve. Besimi ynë në këtë grup është i plotë dhe do të vazhdojmë ta mbështesim pa hezitim,” thuhet në komunikatë.
Duke u shprehur si një “familje e madhe”, klubi beson se me përkushtim dhe unitet, do të arrijë objektivat e vendosura në planin afatgjatë.