2 Korriku rikthen Riad Jasharin në formë huazimi nga Malisheva

Riad Jashari
#post_seo_title

2 Korriku ka zyrtarizuar rikthimin në skuadër të mbrojtësit të djathtë Riad Jashari, pas arritjes së marrëveshjes për huazimin e tij nga FC Malisheva. Futbollisti 21-vjeçar do të jetë pjesë e verdhebluve deri në fund të sezonit 2025/26.

Jashari nuk është i panjohur për tifozët e 2 Korrikut, pasi ka kaluar dy sezone si pjesë e ekipit të parë dhe është produkt i këtij klubi. Ai tashmë është bashkuar me skuadrën në stërvitje dhe pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Labinot Haziri për ndeshjen e fundjavës kundër FC Suhareka.

Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, Jashari u shpreh:

“Jam rikthyer në klubin e 2 Korrikut, aty ku kam kaluar vite më të mira të karrierës sime. Do të jetë një eksperiencë e bukur për mua. Shpresoj se do ta ndihmoj ekipin me të gjithë potencialin tim.”

Ndërkohë, drejtori sportiv i klubit, Drilon Baholli, komentoi:

“Kemi vepruar shumë mirë me rikthimin e Riadit. Është lojtar i ri dhe presim që do të na ofrojë mjaft shumë në këtë edicion. E falënderojmë ekipin e FC Malisheva për korrektësinë e treguar lidhur me marrëveshjen e huazimit.”

Ky veprim vjen në një moment kritik për 2 Korrikun, që pas katër javësh të para në kampionat numëron po aq humbje. Me këtë lëvizje, klubi duket se po synon të reagojë në kohë duke përforcuar repartet me lojtarë të njohur dhe të provuar.