
Pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme në fitoren 84-77 ndaj Italisë në 1/8 e finales së EuroBasket 2025, Luka Donçiç konfirmoi edhe një herë statusin e tij si ylli më i madh i turneut, ndërsa trajneri i Italisë, Gianmarco Pozzecco, njoftoi dorëheqjen në një moment emocional pas eliminimit.
Donçiç shënoi 43 pikë, kapi 10 kërcime dhe vodhi 3 topa, duke vendosur nën kontroll një ndeshje që u rrezikua në minutat e fundit nga rikthimi i italianëve. Me 30 pikë në pjesën e parë – rekord për një pjesë loje në historinë e EuroBasketit – kapiteni i Sllovenisë udhëhoqi ekipin drejt kualifikimit, pavarësisht një dëmtimi në këmbë dhe shqetësimeve fizike gjatë pjesës së dytë.
Pas ndeshjes, Donçiç u ndal shkurt për të folur me gazetarët para se të shkonte në terapi:
“E përfunduam! E përballuam! Po shkoj për terapi – do jem gati për Gjermaninë”, tha ai me një buzëqeshje, ndërsa bashkëlojtari Alen Omiç i ofroi ndihmë me shaka:
“Të masazhoj unë, pa problem!”
Në prag të sfidës së vështirë kundër Gjermanisë në çerekfinale, Donçiç është optimist:
“Që para kampionatit kemi besuar. Besojmë ende. Luajmë për njëri-tjetrin dhe japim gjithçka për ekipin. Atmosfera është fantastike, edhe kur ka tensione, ato na bashkojnë.”
Ndërkohë, në kampin italian, humbja solli një fund të parakohshëm. Gianmarco Pozzecco deklaroi dorëheqjen pas ndeshjes:
“Kjo ishte ndeshja ime e fundit si trajner i Italisë. Falënderoj presidentin Giovanni Petrucci për mundësinë. Ka qenë momenti më i bukur i jetës sime.”
Pozzecco mori drejtimin e Italisë në vitin 2022, por disfata ndaj Sllovenisë shënoi fundin e një cikli për të. Emocional dhe i drejtpërdrejtë, ai iu përgjigj kritikëve:
“S’më intereson çfarë mendoni për mua.”
E martë, 9 shtator
Turqia vs Polonia – 16:00
Lituania vs Greqia – 20:00