Llapi - Ballkani

Ndeshjet e javës së 14-të të AlbiMall Superligës do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën, në dy orare të ndryshme.

Java hapet me sfidën që luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit, ku Prishtina e Re pret Dritën. Vendasit ndodhen ende në fund të renditjes me vetëm 9 pikë, ndërsa kampionët aktual, Drita, janë tashmë 6 pikë larg liderit Prishtina, me të cilën kanë ende për të zhvilluar ndeshjen e mbetur të javës së 13-të.

Prishtina do të luajë nesër (e shtunë), nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, përballë Malishevës. Bardhekaltrit nuk kanë shijuar fitoren në dy ndeshjet e fundit, ndërsa Malisheva vjen me formë të luhatshme dhe 16 pikë të grumbulluara.

Të dielën zhvillohen tre ndeshjet e tjera të javës. Gjilani pret Ferizajn, me vetëm një pikë diferencë mes tyre në tabelë — përkatësisht 15 dhe 14 pikë.

Në Klinë, Dukagjini përballet në derbin rajonal me Drenicën, e cila në tre ndeshjet e fundit ka regjistruar dy fitore dhe një barazim, duke treguar ngritje në formë.

Java e 14-të do të mbyllet në Suharekë me derbin kryesor: Ballkani – Llapi. Ballkani, ndjekësi më i afërt i lideres Prishtina me vetëm 3 pikë më pak, do të kërkojë fitoren për të rritur presionin në garën për titull. Ndërkohë, Llapi vjen në këtë përballje pas dy ndeshjeve të zbehta dhe me formë në rënie.