
Në një atmosferë elektrizuese me mbi 10,000 tifozë në arenën SM Mall of Asia, Aleksandar Nikolov shkëlqeu në fitoren historike të Bullgarisë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke e çuar skuadrën në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror të Volejbollit për Meshkuj – për herë të parë që prej vitit 2006.
Edhe pse i mbuluar ngushtë gjatë çerekfinales të së enjtes, Nikolov arriti të realizojë 29 pikë, duke udhëhequr një përmbysje spektakolare ndaj SHBA-së, e renditur e katërta në botë. Rezultati përfundimtar: 21-25, 19-25, 25-17, 25-22, 15-13.
Atmosfera e një ndeshjeje kampionati i dha frymëzim 21-vjeçarit dhe shokëve të skuadrës, të cilët reaguan fuqishëm pas humbjes së dy seteve të para.
“E pabesueshme. Nuk e besoj ende – ndjehej si një ndeshje në shtëpi për të dyja ekipet, gjë që është e jashtëzakonshme. Jemi 20,000 kilometra larg nga shtëpia, edhe më larg për amerikanët, dhe megjithatë kishte mbi 10,000 vetë në arenë”, u shpreh Nikolov, që e mbylli ndeshjen me 26 goditje fituese, dy as dhe një bllok.
“Ç’të them më shumë? Ishte e mrekullueshme. Faleminderit të gjithëve që na mbështetën. Tani presim gjysmëfinalen. Shpresoj të jetë një tjetër betejë dhe të dalim sërish fitimtarë.”
Nikolov falënderoi edhe bashkëlojtarët për mbështetjen që i dhanë pas një fillimi të dobët në ndeshje.
“E doja jashtëzakonisht shumë”, tha ai. “Pas dy seteve të humbura, u thashë djemve: ‘Do përmirësohem. Do rikthehem në këtë ndeshje.’ Ata më besuan – dhe ia dolëm. Jemi në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror. Ende s’më besohet që po e them.”
Bullgaria, e renditur e 11-ta në botë, rikthehet në katërshen më të mirë për herë të parë që nga medalja e bronztë në Japoni më 2006 – kohë kur edhe babai i Nikolovit, Vladimir, ishte pjesë e ekipit kombëtar.
Të shtunën, bullgarët përballen me Çekinë në gjysmëfinale.
“Mentaliteti ynë do të jetë agresiv. Për mua personalisht, do mundohem të luaj më me zgjuarsi, me goditje më të kujdesshme. Do japim gjithçka”, tha Nikolov, duke synuar finalen e parë për Bullgarinë që nga medalja e argjendtë në vitin 1970.
“E nisëm turneun pa pritshmëri të mëdha, por tani kemi një mundësi reale për të luajtur në finale. Është ëndrra jonë – dhe do luftojmë për të deri në pikën e fundit.”