Arsim Abazi: Ferizaji s’është befasi, kemi ndërtuar stabilitet dhe disiplinë

Arsim Abazi
Arsim Abazi

Trajneri i Ferizajit i kënaqur me nisjen perfekte – dy fitore, asnjë gol i pësuar dhe punë e madhe në prapaskenë, Abazi është prononcuar ekskluzivisht për Kërlaçki.

Trajneri i Ferizajit, Arsim Abazi, është shprehur i kënaqur pas fitores së dytë radhazi në AlbiMall Superligën e Kosovës. Pas suksesit 1-0 ndaj Dritës në javën e parë dhe triumfit të po të njëjtit rezultat ndaj Prishtinës së Re, Ferizaji është ndër skuadrat me startin më të mirë këtë sezon – me 6 pikë, dy gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.

“Si trajner i Ferizajit, nuk mund të them që ky është një rezultat befasues. Edhe sezonin e kaluar kemi treguar që jemi një skuadër stabile. Edhe pse kanë kaluar vetëm dy javë, ne si staf kemi pritur një ecuri pozitive në fillim të kampionatit, sepse kemi punuar shumë gjatë përgatitjeve”, ka thënëa Abazi për Kërlaçkin.

Ai theksoi se suksesi vjen si rezultat i përgatitjes serioze dhe disiplinës së skuadrës.

“Çelësi i këtyre dy fitoreve është grupi i lojtarëve – janë të disiplinuar dhe punëtorë të mëdhenj. Secili jep maksimumin në fushë”, shtoi ai.

Përqendrimi, vetëm te ndeshja e radhës

Duke folur për ecurinë e përgjithshme të kampionatit, Abazi u tregua i përmbajtur dhe i fokusuar vetëm te rruga e ekipit të tij.

“Të them të drejtën, ne fokusohemi vetëm te ecuria jonë dhe te kundërshtari i radhës. Përgatitemi për çdo ndeshje me seriozitet maksimal dhe synojmë të japim më të mirën”, përfundoi Abazi.

Performanca e Ferizajit ka tërhequr vëmendjen edhe të trajnerëve rivalë. Ismet Munishi, trajneri i Dukagjinit, i ka dhënë komplimente Ferizajit për paraqitjen solide në dy ndeshjet e para të kampionatit.