
Edhe pse Diego Simeone e ndoqi ndeshjen nga tribuna për shkak të pezullimit, Atletico Madrid la pas zhgënjimin e humbjes dramatike ndaj Liverpoolit në javën e parë të Champions League, duke mposhtur bindshëm Eintracht Frankfurt me rezultatin 4-1. Ky ishte triumfi i 10-të në 11 ndeshjet e fundit në shtëpi për Atletikon në këtë kompeticion.
Duke marrë parasysh fitoren 5-2 të Atleticos ndaj Real Madridit dhe suksesin 6-4 të Frankfurtit ndaj Borussia Mönchengladbach në fundjavë, pritej një tjetër mbrëmje me shumë gola – dhe pritjet u realizuan, edhe pse në mënyrë të njëanshme.
Vetëm pas pak minutash, Giacomo Raspadori nisi aksionin nga e djathta dhe, pas një devijimi të mbrojtjes, topi iu rikthye në zonë, ku italiani shënoi pa gabuar për 1-0. Në minutën e 33-të, Atletico dyfishoi avantazhin: një goditje nga këndi e Álvarez nuk u konkretizua nga Griezmann, por Robin Le Normand reagoi më shpejt dhe e shtyu topin në rrjetë për 2-0.
Në shtesën e pjesës së parë, Álvarez depërtoi me shpejtësi dhe asistoi për Antoine Griezmann, i cili shënoi golin e tretë, duke e bërë të qartë se ndeshja ishte thuajse e mbyllur.
Frankfurti gjeti golin e vetëm në minutat e para të pjesës së dytë, kur një top i gjatë u kontrollua shkëlqyeshëm nga Ansgar Knauff, i cili shërbeu për Jonathan Burkardt – ky i fundit realizoi golin e pestë personal në katër ndeshjet e fundit.
Por Atletiko nuk ndalej. Një aksion spektakolar u anulua për faull me dorë nga Griezmann, megjithatë pak më vonë, Giuliano Simeone shënoi golin e katërt me kokë pas një goditjeje këndi të Álvarez. Në fund, edhe Álvarez u fut në listën e realizuesve, duke shënuar nga pika e bardhë pas një faulli me dorë të Aurèle Amenda-s, duke vulosur fitoren e thellë 4-1.
Ky rezultat lë të dy skuadrat me nga një fitore dhe një humbje në fazën e ligës, ndërsa për Frankfurtin, tashmë 10 ndeshjet e fundit kanë prodhuar gjithmonë të paktën katër gola.