Camp Nou

Barcelona pritet të rikthehet më në fund në shtëpinë e saj legjendare – Spotify Camp Nou – më 29 nëntor, në përballjen ndaj Alaves, në kuadër të La Ligës. Ky rikthim përkon me përvjetorin e 126-të të themelimit të klubit, duke e kthyer ndeshjen në një ngjarje të veçantë për tifozët katalanas dhe botën e futbollit.

Sipas të dhënave të fundit, Barça është pranë marrjes së lejes për fazën 1B të rinovimeve në stadium, që do të lejojë praninë e rreth 45 mijë spektatorëve në shkallët e Camp Nou-t të rinovuar. Pas një periudhe të gjatë që ekipi luajti në stadiumin Montjuïc, rikthimi në shtëpi do të sjellë entuziazëm të madh tek tifozët.

Për të testuar funksionalitetin e infrastrukturës së re, klubi ka planifikuar një seancë stërvitore të hapur për publikun më 7 nëntor, ku do të jenë të pranishëm rreth 23 mijë tifozë. Kjo ngjarje do të shërbejë si provë gjenerale para rikthimit zyrtar në fund të muajit.

Përveç përmasës sportive, rikthimi në Camp Nou do të shoqërohet edhe me një festë zyrtare nga klubi, në nder të përvjetorit historik të FC Barcelonës. Tifozët në gjithë botën, përfshirë edhe ata në Kosovë, pritet ta ndjekin me emocion këtë rikthim simbolik në zemrën e Barcelonës.