bashkimi - peja

Sonte dhe nesër, katër klubet kosovare do të zbresin në parket për ndeshjet evropiane, me objektiva të qarta: fitore dhe kualifikim në fazat pasuese të garave ndërkombëtare.

Bashkimi përballë historisë në FIBA Europe Cup

Skuadra e Bashkimit nga Prizreni do të kërkojë të shkruajë historiBLnë në debutimin e saj në FIBA Europe Cup, kur të përballet sonte me ekipin francez Dijon, në ora 20:00. Të dyja skuadrat ndodhen në garë të drejtpërdrejtë për kualifikim nga Grupi J, i cili është grupi më i balancuar i kësaj faze, me të katër ekipet ende në garë për kalimin më tej.

Nëse Bashkimi arrin të mposhtë Dijonin dhe njëkohësisht Reggiana triumfon ndaj Cibonës, atëherë të katër skuadrat do të mbyllnin fazën e grupeve me nga tri fitore dhe tri humbje. Në këtë rast, kualifikimi do të përcaktohej nga rregullat teknike të FIBA-s për renditje.

Aktualisht, Dijon dhe Cibona kanë nga tri fitore dhe dy humbje, ndërsa Bashkimi dhe Reggiana qëndrojnë me nga dy fitore dhe tri humbje. Një fitore do të ishte jetike për prizrenasit, që synojnë kalimin historik në fazën tjetër.

Trepça në kërkim të fitores së parë

Kampionia e Kosovës, Trepça, do ta mbyllë aventurën në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup pa shpresa për kualifikim. Mitrovicasit janë mysafirë të Anwilit të Polonisë të mërkurën në ora 18:30. Në pesë ndeshje të zhvilluara deri tani, Trepça nuk ka shënuar asnjë fitore, ndërsa skuadra polake ka regjistruar dy fitore dhe tri humbje.

ENBL: Peja dhe Prishtina përballë sfidave të rëndësishme

Në Ligën ENBL, GO+ Peja zhvillon ndeshjen e saj të katërt në grup, duke u përballur me Dziki Warszawa në udhëtim. Verdhezinjtë kanë një bilanc prej një fitoreje dhe dy humbjesh, ndërsa polakët kanë dy fitore dhe një humbje. Takimi luhet sonte në ora 19:00.

Ndërkaq, të mërkurën në ora 20:00, Sigal Prishtina do të kërkojë fitoren e katërt në pesë ndeshje, në duelin kundër Manchester Basketball në Angli. Bardhekaltrit kanë treguar formë të mirë me tri fitore dhe një humbje, ndërsa skuadra britanike ka bilanc të barabartë: dy fitore dhe dy humbje.