Sulmuesi 24-vjeçar nga Vushtrria, Baton Zabërgja, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës ukrainase Metalist, është rikthyer në radhët e Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet vendimtare që e presin ekipin. Edhe pse ka pasur probleme fizike gjatë sezonit, Zabërgja ka arritur të zhvillojë pesë ndeshje me klubin e tij të ri në elitën e futbollit ukrainas, pas një sezoni mbresëlënës me Dinamon e Tiranës.
Ai ka debutuar tashmë me përfaqësuesen A të Kosovës, duke dhuruar një asistim në miqësoren ndaj Armenisë dhe duke marrë pjesë edhe në sfidën hapëse të kualifikimeve për Botërorin kundër Zvicrës.
Deklarata e Zabërgjës:
“Jam shumë i lumtur për rikthimin, sidomos kur kemi përpara dy ndeshje jetike. Shpresoj që me përkushtim maksimal dhe qasje serioze, t’i kalojmë me sukses këto sfida dhe ta arrijmë qëllimin tonë. Me Slloveninë shpresoj të paktën për një pikë, por me grupin cilësor që kemi, do të synojmë edhe fitoren. Kemi bërë paraqitje të jashtëzakonshme, sidomos kundër Suedisë, dhe mendoj se e meritojmë të jemi pjesë e Botërorit.”
Kombëtarja e Kosovës do të përballet këtë të shtunë me Slloveninë në stadiumin “Stozhice” të Ljubljanës në orën 20:45. Tre ditë më vonë, “Dardanët” do të presin Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një tjetër sfidë kyçe për kualifikim.