
Jose Mourinho është në bisedime të avancuara për të marrë drejtimin e Benficës, pas shkarkimit të trajnerit Bruno Lage. Ky i fundit u largua mbrëmë, vetëm disa orë pasi skuadra u befasua nga Qarabag në ndeshjen e parë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Trajneri 62-vjeçar portugez mbeti pa ekip në fund të gushtit, kur u shkarkua nga Fenerbahçe.
Ironikisht, ishte pikërisht Benfica ajo që eliminoi ekipin turk nga plejofi i UCL, duke i dhënë fund aventurës së Mourinho-s në Stamboll.
Benfica, rivali i përjetshëm i Portos, është klubi me të cilin Mourinho pati një përvojë të shkurtër në vitin 2000, para se të shkruante historinë e madhe me Porton, duke fituar Ligën e Kampionëve në vitin 2004 – trofe që shënoi nisjen e një karriere të lavdishme.
Në listën e gjatë të klubeve të drejtuara nga ai figurojnë gjigantë evropianë si Chelsea, Inter, Real Madrid, Manchester United, Tottenham dhe Roma.
Një rikthim te Benfica do të ishte një kapitull i veçantë në karrierën e Mourinhos, i cili mbetet një prej trajnerëve më të njohur dhe më të suksesshëm në historinë e futbollit modern.