
Bosna dhe Hercegovina e ka përfunduar para kohe aventurën në Eurobasket 2025, pas humbjes 80:72 nga Polonia në ndeshjen e zhvilluar në Riga. Fati i takimit u vulos në periodën e fundit, kur u dëmtua një nga lojtarët kyç të BiH, John Roberson.
BeH e nisi më mirë ndeshjen, duke krijuar epërsi deri në +11, ndërsa pjesën e parë e mbylli në avantazh 44:40 falë Roberson (16 pikë) dhe Jusuf Nurkić (11 pikë). Te Polonia spikati Jordan Loyd me 17 pikë, i ndihmuar nga Mateusz Ponitka me 11.
Në pjesën e dytë, ekipi i Adis Beçiragiç vazhdoi të ruajë epërsinë deri në fund të çerekut të tretë, por një seri prej 8:0 i riktheu polakët, që përmbysën rezultatin dhe kaluan në avantazh 62:61.
Në çerekun e fundit, Polonia e drejtuar nga trajneri kroat Igor Miliçiç shtoi ritmin dhe krijoi epërsi. Problemet për BiH u shtuan kur rreth gjashtë minuta para fundit Roberson u dëmtua dhe nuk u rikthye më në fushë. Pa organizatorin kryesor, skuadra boshnjake nuk gjeti forcë për reagim.
Polonia e mbylli ndeshjen me fitore 80:72 dhe u kualifikua në çerekfinale, ku do të përballet me një nga favoritët e turneut – Turqinë.