Capello lavdëron Jasharin: Do të bëhet lojtar i madh, është e qartë që ka gjak shqiptari

Capello

Fabio Capello ka lavdëruar përforcimin e ri të Milanit, Ardon Jasharin. Ylli me prejardhje shqiptare pritet të nënshkruajë sot një kontratë pesëvjeçare me kuqezinjtë, për një transferim që do t’i kushtojë Milanit rreth 38-39 milionë euro, përfshirë bonuset.

Përfaqësuesi i Zvicrës është vlerësuar nga trajneri legjendar italian, i cili ka përgëzuar klubin milanez për këtë goditje në merkato.

“Duhet ta pranoj që e kam parë vetëm në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, shumë pak për të pasur një qartësi absolute. Por djali më duket i vlefshëm, një potencial i lartë në këtë rol për të ardhmen. Prandaj, një goditje nga Milani, e them me bindje,” ka deklaruar fillimisht Capello për “La Gazzetta dello Sport”.

Ardon Jashari

“Jashari më duket si një ‘brumë’ tjetër, sinqerisht. Nuk po flas për talentin natyral, por për karakterin. Kështu më kanë thënë dhe madje, duke e parë në fushë, jep përshtypjen e një lojtari që nuk frikësohet nga askush e nga asgjë. Jashari është zviceran me origjinë shqiptare. Është e qartë që ka gjak ballkanas në vena,” shtoi trajneri italian, duke qeshur.

“Ai ishte shpërngulur nga shtëpia në Zvicër një herë, kur shkoi në Belgjikë vitin e kaluar. Kjo tregon se tashmë ka dëshmuar veten, duke u zgjedhur si lojtari më i mirë i vitit në kampionatin belg, aty ku nuk njihej, ndërsa në Champions ka luajtur mjaft mirë. Jashari më duket tipi i lojtarit që nuk tërhiqet kur duhet të tregojë cilësitë e tij apo kur i duhet të japë më shumë për të fituar”, përfundoi Capello.